
Një tërmet me magnitudë 4.7, më i forti i regjistruar në zonën e Fushave Flegreane në katër dekadat e fundit, ka goditur mbrëmjen e së premtes Napolin dhe zonat përreth, duke shkaktuar panik, dëme materiale dhe ndërprerje të transportit.
Sipas autoriteteve italiane, bilanci paraprak është 10 persona me lëndime të lehta. Mijëra banorë dolën në rrugë, ndërsa u raportuan shembje suvash, dëmtime në banesa dhe kisha, si edhe rrëshqitje shkëmbinjsh në Pozzuoli, ku u dëmtuan automjete të parkuara.
Një shtyllë e linjës së tensionit të lartë u rrëzua, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa lagje të Napolit. Pasgoditjet vijuan gjatë mbrëmjes, ndër to edhe një tërmet me magnitudë 3.8.
Për arsye sigurie u pezullua qarkullimi në linjat hekurudhore Cumana dhe Circumflegrea, ndërsa porti i Pozzuolit u mbyll pasi u konstatuan çarje në kalatat e tij. Si pasojë janë ndërprerë të gjitha lidhjet detare me ishujt Ischia dhe Procida, në pritje të verifikimeve teknike.
Mbrojtja Civile aktivizoi qendrën e emergjencës, po monitoron zhvillimin e situatës dhe ka ngritur zona pritjeje për banorët, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të ndjekin vetëm njoftimet zyrtare.






