
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka nisur takimin me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në përpjekje për të gjetur një rrugëdalje nga ngërçi për konstituimin e institucioneve të reja të Kosovës.
Takimi po zhvillohet në Kuvend dhe vjen pas dështimit të deritanishëm për të përmbyllur konstituimin e legjislaturës së 11-të.
Para nisjes së bisedimeve, Kurti deklaroi se synon që diskutimet të zhvillohen me mirëbesim dhe në një atmosferë pozitive.
“Do të shohim si mund të ecim përpara që t’i konstituojmë institucionet e legjislaturës së 11-të”, deklaroi Kurti.
Në Kuvend ka mbërritur edhe Lumir Abdixhiku, i shoqëruar nga përfaqësues të LDK-së. Takimi shihet si një përpjekje e re për të afruar qëndrimet mes dy forcave politike dhe për të gjetur formulën që do t’i hapte rrugë funksionalizimit të institucioneve.
Kosova ndodhet prej javësh në ngërç institucional, ndërsa përpjekjet e mëparshme për konstituimin e Kuvendit nuk kanë prodhuar një marrëveshje politike.
Rezultati i takimit Kurti-Abdixhiku pritet të tregojë nëse palët mund të afrojnë qëndrimet apo kriza institucionale do të vazhdojë.
Burimi: KOHA.net






