
Shqipëria është renditur në vendin e parë në botë në National Cyber Security Index (NCSI), duke marrë 98.33 pikë. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi rezultatin “të pabesueshëm, por 100% të vërtetë”.
Sipas Ramës, Shqipëria ka bërë një kapërcim të madh në sigurinë kibernetike pas sulmit të rëndë të 15 korrikut 2022 ndaj infrastrukturës digjitale të vendit.
“Më 15 korrik 2022 u goditëm. Në vitin 2023 kaluam në vendin e 54, në vitin 2025 u ngjitëm në vendin e 15, ndërsa sot jemi në majën e klasifikimit botëror”, shkruan Rama.
Kryeministri thotë se pas sulmit u ngrit një arkitekturë e re e mbrojtjes kibernetike dhe u forcuan ndjeshëm kapacitetet profesionale e teknologjike, me ndihmën edhe të partnerëve ndërkombëtarë.
Rama pretendon se sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë kanë vijuar, përfshirë ato që ai ia atribuon regjimit të Teheranit, por tashmë nuk kanë arritur të shkaktojnë dëme të ngjashme.
Sipas tij, objektivi tani është që sistemi i mbrojtjes të shtrihet më tej edhe në sektorin privat.






