
Detaje të reja janë zbardhur nga dëshmia e 74-vjeçarit Qemal Berhami, i dyshuar fillimisht në lidhje me zjarrin e madh në Krujë.
Berhami ka mohuar se ka shkaktuar qëllimisht zjarrin, duke deklaruar se, përkundrazi, është përpjekur të shuajë flakët sapo ka konstatuar vatrën pranë banesës së tij.
“Kam parë një vatër zjarri sipër banesës time dhe kam marrë një zorrë uji për ta fikur. Flaka është përhapur me shpejtësi dhe ka qenë e pamundur që unë ta fikja”, ka deklaruar 74-vjeçari.
Ai ka ngritur gjithashtu dyshime se në zonë mund të ketë qenë një person tjetër në momentin kur shpërtheu zjarri. Sipas tij, në të njëjtën kohë ishte hapur saraçineska e depos së ujit të lagjes.
“Kjo tregon se një person tjetër ka shkuar te depoja e ujit në kohën që ka rënë zjarri, pasi saraçineska nuk mund të hapet vetë”, ka deklaruar Berhami.
74-vjeçari këmbëngul se nuk di si është shkaktuar zjarri dhe se gjithmonë tregohet i kujdesshëm.
“Edhe cigaren unë e fik me pështymë. Jam 74 vjeç dhe gjatë jetës time nuk kam kryer asnjë vepër penale”, është shprehur ai.
Prokuroria e ka cilësuar të paligjshëm ndalimin e 74-vjeçarit, ndërsa vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e zjarrit.






