Seanca plenare është përfshirë nga debate të forta politike për projektligjin e Gardës së Republikës, ku opozita dhe mazhoranca janë përplasur me akuza të drejtpërdrejta.

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, akuzoi mazhorancën se projektligji është hartuar për interesa personale, duke pretenduar se synon të favorizojë një individ të caktuar.

Sipas tij, bëhet fjalë për një “kostum të qepur” për një person, konkretisht për shoferin e kryeministrit Edi Rama, që sipas opozitës synohet të vendoset në krye të Gardës.

“Parlamenti nuk mund të bëjë ligje për një individ, por për interesin e çdo shqiptari”, deklaroi Balliu, duke e cilësuar nismën si të papranueshme.

Nga ana tjetër, Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, i hodhi poshtë kategorikisht këto akuza, duke i cilësuar si të pavërteta dhe shpifje.

Balla theksoi se Garda e Republikës është një institucion elitë i sigurisë dhe meriton mbështetje, ndërsa çdo insinuatë ndaj saj është e ulët. Ai nënvizoi se institucioni i shërben shtetit pavarësisht se kush është në pushtet.

Në të njëjtën kohë, Balla kërkoi shtyrjen e shqyrtimit të projektligjit për në seancën e datës 23, duke argumentuar se kërkesa është bërë edhe nga deputetë të opozitës dhe lidhet me nevojën për më shumë kohë në komisione.

Fjala e plotë e Ballës:

Unë nuk e kuptova se si të kërkosh në komisione më shumë kohë edhe për t’u përgatitur për debatet, dhe pastaj të vish këtu të thuash ndryshe, megjithatë kjo është ajo shembulli tipik i rastit kur nuk dinë çfarë kërkojnë. Megjithatë, në rastin në fjalë, në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar, kam kërkuar shtyrjen për seancën pasardhëse, nuk është aspak e vërtetë ajo që u tha këtu. Garda e Republikës është një institucion elitë në grupin e institucioneve të sigurisë në vend, punonjësit e Gardës së Republikës meritojnë respekt, e vërteta është që gjithmonë duhet t’i ofrojmë mbështetjen tonë Gardës së Republikës, e cila bën një detyrë të rëndësishme, dhe ndërkohë çdo lloj akuze apo insinuate dhe çdo lloj shpifje ndaj Gardës së Republikës është e ulët, Garda e Republikës i shërben autoriteteve të shtetit pavarësisht nëse je sot qeveri, apo je sot në opozitë. Kështu që, zoti kryetar i Kuvendit, i qëndroj propozimit tim, ka qenë një propozim edhe nga kolegë deputetë të opozitës në komisione, dhe është një praktikë pune për shkak se kemi shumë çështje të tjera, kjo çështje të kalojë për shqyrtim në seancën e datës 23. Faleminderit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu