Debatet në Kuvend janë përqendruar edhe te çështja e naftës, ku kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkoi ndërhyrje urgjente për heqjen e çdo takse ndaj karburantit për fermerët dhe transportin publik.

Në fjalën e tij, Berisha akuzoi qeverinë se nuk ka në fokus interesin e qytetarëve, duke e cilësuar axhendën parlamentare të dominuar nga “vjedhjet e binomit Rama-Balluku”.

Ai hodhi poshtë deklaratat se vendet e Bashkimit Europian nuk subvencionojnë më naftën, duke e quajtur këtë një “mashtrim të turpshëm” dhe sfidoi publikisht që të gjendet një vend i vetëm në BE që nuk mbështet fermerët me subvencione për karburantin.

Sipas tij, përkundrazi, vende si Gjermania kanë rritur subvencionet për këtë sektor, ndërsa fermerët shqiptarë mbeten të pambështetur.

Berisha kërkoi që Kuvendi të ndërhyjë me ligj për të rikthyer subvencionin e naftës dhe për të hequr taksat, duke argumentuar se kjo do të ndihmonte drejtpërdrejt bujqësinë dhe transportin publik.

Ai shtoi gjithashtu se kostot e larta të karburantit kanë sjellë reduktim të linjave të autobusëve me rreth 40%, duke e konsideruar situatën alarmante dhe duke kërkuar që çështja të hidhet për votim.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu