
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili i është përgjigjur akuzave të opozitës lidhur me organizimin e samitit të diasporës në Tiranë, duke theksuar se rezultatet konkrete janë prova e punës së qeverisë.
Në fjalën e saj, Ismaili u shpreh se politikat dhe nismat e ndërmarra gjatë viteve të qeverisjes së Partisë Socialiste kanë sjellë rezultate të dukshme.
Sipas saj, samiti i diasporës është vetëm një pjesë e një strategjie më të gjerë për përfshirjen e shqiptarëve jashtë vendit në zhvillimin ekonomik dhe vendimmarrje, duke përmendur programe si nxitja e investimeve, rikthimi i emigrantëve, shërbimet online, mbështetja për startup-et dhe krijimi i “Diaspora Business Hub”.
Ministrja theksoi gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar përmes iniciativave si mësimi i gjuhës shqipe dhe shpërndarja e librave në diasporë.
Duke iu referuar të dhënave, Ismaili deklaroi se nga viti 2011 deri në vitin 2024 janë rikthyer në Shqipëri mbi 108 mijë shtetas, ku 45% e tyre vetëm në periudhën 2020–2024. Sipas saj, rreth 30% e të rikthyerve kanë hapur biznese në vend.
Ajo shtoi se vetëm gjatë vitit 2023 janë rikthyer 25,595 shqiptarë, duke i cilësuar këto shifra si tregues të qartë të bashkëpunimit mes shtetit dhe diasporës.
Ismaili u shpreh se “shifrat janë kokëforta” dhe përballen me çdo pretendim apo kritikë, duke hedhur poshtë akuzat e opozitës si të pabazuara.
Fjala e plotë:
Në fakt unë mendoj se ka gjithmonë një moment për të vërtetat, dhe në gjykimin tim nuk ishte një moment tjetër më të përshtatshëm sesa ky tani, për të thënë disa të vërteta me zë që herë pas here na vërtetohet se të mirat harrohen më shpejt sesa ato që kërkojnë një vëmendje për t’u zgjidhur si çështje.
Dhe referuar diasporës si një ndër çështjet më të rëndësishme e vërtetuar me nisma, me politika dhe përkthyer në shifra që nuk mund të tjetërsohen dot, lidhet pikërisht me diasporën, dhe janë të gjitha të bëra vetëm gjatë viteve që ka qeverisur Partia Socialiste.
Tani, Samiti i Diasporës është vetëm një nga çështjet që lidhet me rolin dhe vendimmarrjen për të përfshirë sa më shumë diasporën në Shqipëri. Por mos të harrojmë nxitjen e investimeve, programe të rikthimit, mos të harrojmë shërbimet online, që në qoftë se ka ndonjë bekim që ne marrim nga gjithë diaspora është pikërisht kjo gjë, si e kemi kursyer dhe para, edhe kohë, edhe kokëçarje e gjithë diasporës, mos të harrojmë mbështetjen e ekonomi në startup-e dhe grante, DiasporaBbusiness Hub, në paketa fiskale, në një nga çështjet më të rëndësishme që lidhet pikërisht me ndjenjën tonë kombëtare përsa i përket edukimit dhe identitetit, Mëso shqip, ibrat shqip jashtë vendit, dhe Jam Shqiptar.
Tani, ne mund të themi këtu çfarë duam, por unë mendoj që shifrat janë gjithmonë kokëforte përballë, thashethemeve.
Dhe nga viti 2011 deri në vitin 2024 janë më shumë se 108 mijë shqiptarë të rikthyer në vendin tonë, ku 45% e këtij totali ka ndodhur nga viti 2020 deri në vitin 2024, dhe nga ky total 30% e tyre janë rikthyer në Shqipëri duke hapur biznes.
Në qoftë se këto shifra ju nuk ju duken inkurajuese, nuk ju duken bashkëpunim i shtetit me diasporën, unë nuk e di çfarë tjetër mund të duket, dhe si shifër e fundit përballë, thashethemeve dhe baltës që hidhet për gjithë punën që Shqipëria dhe shteti shqiptar ka bërë për diasporën, është që vetëm në vitin 2023 janë rikthyer nga diaspora 25 mijë e 595 shqiptarë.



