Qeveria ka miratuar tre vendime të reja në sektorin e shëndetësisë, mes të cilëve ngritjen e Institutit Kombëtar të Tumoreve dhe kalimin në administrim shtetëror të shërbimeve të check-up-it dhe dializës për qytetarët mbi 70 vjeç.

Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, bëri të ditur se Shqipëria do të krijojë për herë të parë një Institut Kombëtar të Tumoreve, i cili do të funksionojë sipas standardeve evropiane, duke marrë si model institutin onkologjik të Milanos.

Sipas saj, institucioni i ri do të ketë tre shtylla kryesore: trajtimin klinik të pacientëve, përfshirë kimioterapinë dhe radioterapinë, kërkimin shkencor dhe mësimdhënien.

Sala tha se instituti do t’u japë pacientëve shqiptarë mundësinë të përfshihen në studime klinike ndërkombëtare dhe të kenë akses në barna dhe terapi inovative, ndërsa do të krijojë mundësi edhe për financime evropiane në teknologji dhe trajtime.

Instituti do të jetë bërthama e rrjetit onkologjik shqiptar. Aktualisht vendi ka tetë qendra kimioterapie, ndërsa së shpejti do të shtohet edhe një e nëntë në Spitalin Memorial të Fierit.

Ministrja njoftoi gjithashtu se, duke nisur nga shtatori, shërbimet e check-up-it dhe dializës për qytetarët mbi 70 vjeç, që deri tani ofroheshin nga koncesionari, do të kalojnë në administrimin e shtetit.

Ajo shtoi se instituti do të vendoset pranë Onkologjikut aktual, i cili do të zgjerohet, ndërsa përveç buxhetit të dedikuar do të ketë edhe financime shtesë për kërkimin shkencor. Sala ftoi gjithashtu mjekët shqiptarë të diasporës të kontribuojnë në projekt, duke theksuar se do të ketë procedura aplikimi për ata që dëshirojnë të rikthehen në Shqipëri.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu