Kryeministri Edi Rama ka komentuar bashkimin e votave mes mazhorancës dhe opozitës për miratimin e rezolutës mbi procesin e integrimit europian, duke e cilësuar atë si një sinjal se opozita e ka kuptuar që negociatat me Bashkimin Europian nuk janë të bllokuara.

Në podcastin e tij “Flasim”, Rama u shpreh se u befasua nga vota konsensuale në Kuvend, por shtoi se ky bashkim është pozitiv kur bëhet fjalë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“E kanë kuptuar që procesi është i pandalshëm dhe bllokimi i shumë përfolur nuk ekziston”, deklaroi Rama, duke shtuar se së shpejti pritet “lajmi i mirë” për kalimin në fazën tjetër të negociatave dhe nisjen e procesit të mbylljes së kapitujve.

Kreu i qeverisë theksoi se bashkëpunimi politik për çështjet që lidhen me integrimin europian është i mirëpritur dhe duhet të ndodhë më shpesh.

Rezoluta për integrimin në BE u miratua në Kuvend me 114 vota pro dhe vetëm një abstenim, duke shënuar një nga rastet e rralla të dakordësisë mes PS dhe PD për një çështje madhore politike.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu