Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj Dritan Goxhajt, një ditë pasi ish-oficeri i UÇK-së lexoi para protestuesve pesë kërkesat e grupit koordinues të protestës që po zhvillohet prej javësh para Kryeministrisë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama publikoi një dokument të vitit 1999 që lidhet me Goxhajn dhe e cilësoi atë si “manipulator, gjysmë taleban e gjysmë mitoman”. Kryeministri tha se dokumenti i ishte dërguar nga një person që, sipas tij, kishte humbur familjarë gjatë luftës në Kosovë.

“Po mos bre mos ja kajni nanën krejt, çfarë komandant i leshit more”, shkroi Rama duke cituar mesazhin që kishte marrë, ndërsa shtoi se nuk do të lejonte që emri i askujt të përdorej për të hedhur baltë mbi simbolikën e UÇK-së.

“Ej, trima, jo për një manipulator gjysmë taleban e gjysmë mitoman, po për krejt botën sikur të ma falin, nuk e hedh një pikë balte unë mbi flamurin e UÇK-së”, deklaroi kryeministri.

Reagimi vjen pasi Goxhaj lexoi në protestë pesë kërkesat e organizatorëve, ku përfshihen dorëheqja e qeverisë, ngritja e një qeverie teknike 12-mujore, ndryshime kushtetuese dhe zgjedhore, si dhe shfuqizimi i disa ligjeve që protestuesit i konsiderojnë të dëmshme për interesin publik.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu