
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në prezantimet finale të Konkursit Ndërkombëtar për Kampusin e Ri Universitar “Aleksandër Moisiu” në Durrës, një projekt që synon të transformojë universitetin në një qendër moderne të arsimit, kërkimit shkencor, inovacionit dhe jetës studentore.
Pas një gare ku morën pjesë 41 ekipe shqiptare dhe ndërkombëtare, pesë ekipet finaliste prezantuan vizionet e tyre për kampusin e ri, i cili parashikohet të funksionojë si një ekosistem i integruar zhvillimi, duke lidhur arsimin me sipërmarrjen, kulturën dhe komunitetin.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se projekti do të shënojë një hap të ri në modernizimin e arsimit të lartë, duke krijuar një kampus që nuk do të jetë vetëm një hapësirë mësimore, por një qendër komunitare aktive 24 orë në ditë.
Kryeministri nënvizoi se projekti parashikon edhe krijimin e një zone rezidenciale për studentët, me synimin për të ulur kostot e strehimit dhe për të përmirësuar kushtet e jetesës gjatë studimeve. Sipas tij, kjo do të ndihmojë në zhvillimin akademik, social dhe njerëzor të studentëve.
Një nga risitë e konkursit është përfshirja e një jurie studentore, e cila do të vlerësojë në mënyrë të pavarur projektet finaliste dhe do të paraqesë rekomandimet e saj përpara vendimit përfundimtar të jurisë ndërkombëtare.
Rama tha se kampusi i ri nuk do të shihet i shkëputur nga qyteti, por si pjesë e zhvillimit urban të Durrësit, duke kërkuar nga ekipet finaliste të propozojnë zgjidhje edhe për zonën lidhëse mes universitetit dhe qytetit.
Sipas kryeministrit, ky investim synon ta kthejë Universitetin “Aleksandër Moisiu” në një pol të ri zhvillimi akademik dhe urban, duke e bërë Durrësin një nga qendrat më të rëndësishme universitare në vend.






