Shqipëria ka nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me gjigantin italian të energjisë, Eni S.p.A., për të studiuar krijimin e kapaciteteve kombëtare të furnizimit dhe magazinimit të naftës dhe gazit, një projekt që synon forcimin e sigurisë energjetike dhe krijimin e rezervave strategjike të hidrokarbureve në vend.

Marrëveshja u nënshkrua në prani të kryeministrit Edi Rama nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi dhe drejtori ekzekutiv i ENI-t, Claudio Descalzi.

Gjatë ceremonisë, Rama deklaroi se qeveria ka nisur procesin për krijimin e një operatori të ri në tregun e hidrokarbureve, i cili do të garantojë rezervat strategjike të naftës dhe do të luajë rol rregullues në treg. Sipas tij, partneriteti me ENI-n do t’i japë Shqipërisë siguri të plotë përballë krizave të mundshme energjetike.

Kryeministri bëri të ditur se memorandumi është hapi i parë drejt krijimit të një kompanie të përbashkët shqiptaro-italiane, e cila synohet të regjistrohet brenda kësaj vere dhe të operojë jo vetëm në tregun vendas, por edhe në atë rajonal të hidrokarbureve.

Nga ana e saj, ministrja Delina Ibrahimaj e cilësoi marrëveshjen si një hap strategjik që forcon partneritetin me Italinë dhe sjell në Shqipëri ekspertizën e një prej kompanive më të mëdha të energjisë në botë. Ajo theksoi se projekti do të analizojë aspektet teknike, financiare, ligjore dhe rregullatore për ndërtimin e kapaciteteve të magazinimit dhe furnizimit me produkte energjetike.

Sipas Ibrahimajt, synimi afatgjatë është që Shqipëria të shndërrohet në një qendër rajonale për magazinimin, logjistikën dhe tregtimin e produkteve energjetike, duke krijuar mundësi të reja zhvillimi ekonomik dhe punësimi.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu