Kryeministri Edi Rama prezantoi shoqërinë e re publike “Albanian Digital Solutions” (ADS), të cilën e cilësoi si hapin e radhës në transformimin digjital të Shqipërisë dhe modernizimin e shërbimeve publike. Sipas tij, kompania e re do të shërbejë për zhvillimin, mirëmbajtjen dhe inovacionin e sistemeve digjitale shtetërore, duke ulur varësinë nga kompanitë private dhe duke forcuar kapacitetet teknologjike të administratës publike.

Rama tha se krijimi i ADS vjen si një domosdoshmëri në fazën e re të qeverisjes elektronike, pas suksesit të AKSHI-t dhe platformës e-Albania, e cila sipas tij ka arritur në mbi 1200 shërbime online dhe më shumë se 3 milionë përdorues.

Sipas kreut të qeverisë, ambicia është që ADS të shndërrohet në kompaninë publike më të suksesshme të zhvillimit dhe mirëmbajtjes së sistemeve digjitale, duke ofruar pagat më të larta në treg dhe duke tërhequr talente shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Ai shtoi se brenda tre viteve shteti pritet të kursejë fonde të konsiderueshme që aktualisht shkojnë për mirëmbajtjen e sistemeve nga kompani private.

Rama foli edhe për përdorimin e inteligjencës artificiale në administratë, duke theksuar se Shqipëria po punon për një model inovativ të prokurimeve publike me AI dhe për futjen e agjentëve të inteligjencës artificiale në ministri, veçanërisht në sektorët financiarë dhe juridikë.

Kryeministri e lidhi këtë nismë me strategjinë më të gjerë të krijimit të kompanive publike në fusha të ndryshme, duke përmendur Korporatën Shqiptare të Investimeve, AlbTrace dhe kompanitë e reja në sektorin e mbrojtjes. Sipas tij, shteti duhet të jetë jo vetëm rregullator, por edhe pjesëmarrës aktiv në ekonomi përmes strukturave moderne dhe konkurruese.

Në fund të fjalës së tij, Rama ftoi specialistët e teknologjisë dhe profesionistët e sektorit digjital të aplikojnë për t’u bërë pjesë e ADS, duke e cilësuar kompaninë si “superfuqinë e ardhshme të tregut të shërbimeve digjitale publike”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu