Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se gjatë takimit me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias ka ngritur shqetësimin për pabarazinë në financimin e partive politike gjatë zgjedhjeve, duke e cilësuar atë si problemin më themelor të procesit zgjedhor në Shqipëri.

Sipas Berishës, opozita argumentoi para ekspertëve të Venecias se diferenca e financimit mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste ka qenë “minimumi 700 deri në 1000 herë”, ndërsa më pas ai tha se vetëm nga përdorimi i fondeve buxhetore kjo diferencë ka shkuar në mbi 2700 herë.

Berisha pretendoi se gjatë periudhës zgjedhore qeveria organizoi 4530 aktivitete publike të financuara me para të buxhetit të shtetit, duke përmendur mes tyre edhe organizimin e “Giro d’Italia”, që sipas tij u përdor për të ndikuar te zgjedhësit.

Kreu demokrat akuzoi gjithashtu qeverinë për përdorimin e fondeve publike për qëllime elektorale, duke përmendur shpërndarjen e 100 eurove për pensionistët gjatë fushatës, si dhe faljen e detyrimeve financiare për mijëra familje dhe biznese pak ditë para zgjedhjeve.

Në deklaratën e tij, Berisha përmendi edhe prokurimet publike të kryera gjatë fushatës, të cilat sipas tij kapin vlerën e mbi 500 milionë eurove, si dhe çështje të tjera që ai i konsideroi shkelje të rregullave të garës zgjedhore.

“Pabarazia ishte në mijëra herë me para buxheti. Për të gjitha këto, farsa ishte më e shëmtuara që kanë parë ndonjëherë”, u shpreh Berisha pas takimit me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias.

Takimi u zhvillua në kuadër të konsultimeve që Komisioni i Venecias po zhvillon me forcat politike për ligjin e financimit të partive politike, përpara hartimit të opinionit dhe rekomandimeve përkatëse.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu