Kryeministri Edi Rama mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Konferencës Aziatike të Lidershipit në Seul të Koresë së Jugut, ku mbajti një fjalim me tone historike dhe politike, duke krahasuar rrugëtimin e Shqipërisë me ndarjen mes dy Koreve.

Në fjalën e tij, Rama tha se Shqipëria dikur konsiderohej “Koreja e Veriut e Europës”, për shkak të izolimit ekstrem gjatë regjimit komunist, por sot ndodhet në një rrugë krejt tjetër, të ndërtimit të institucioneve demokratike dhe integrimit në Bashkimin Europian.

“Koreja është dëshmi se historia ka rëndësi, por e vetme nuk e vendos fatin. I njëjti popull, e njëjta kulturë, e megjithatë dy fate krejt të ndryshme për shkak të sistemeve”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi transformimin e Koresë së Jugut, duke e cilësuar si simbol të ripërtëritjes përmes demokracisë, inovacionit dhe hapjes ndaj botës.

Ai solli në vëmendje edhe rrugën e vendeve aziatike si Japonia, Singapori dhe Kina, duke theksuar se pragmatizmi dhe bashkëpunimi kanë triumfuar mbi ideologjitë.

Në një moment të fjalimit, Rama përmendi edhe reformatorin kinez Deng Xiaoping dhe filozofinë e tij pragmatike: “Nuk ka rëndësi se ç’ngjyrë është macja, për sa kohë kap minj”.

Kryeministri tha se lidershipi i vërtetë nuk lidhet me sigurinë absolute, por me guximin për të hyrë “në arenë” dhe për të vepruar edhe në kushte pasigurie.

Në fund të fjalës së tij, Rama vlerësoi suksesin ekonomik të Koresë së Jugut, duke theksuar se ky vend ka arritur të tejkalojë edhe Japoninë në Prodhimin e Brendshëm Bruto për frymë.

“E nëse Koreja mundi ta bëjë, askush nuk ka të drejtë të thotë se nuk bëhet”, deklaroi Rama.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu