
Të bësh aktivitet fizik me qenin po kthehet në një trend gjithnjë e më të përhapur, duke ndryshuar mënyrën si njerëzit i qasen fitnesit dhe mirëqenies së përditshme.
Sipas një studimi të publikuar nga Rover.com, 59% e pronarëve e konsiderojnë qenin si motivimin kryesor për të dalë dhe për t’u ushtruar. Shëtitjet e përditshme nuk janë më thjesht rutinë, por janë kthyer në një formë të qëndrueshme aktiviteti fizik.
Të dhënat tregojnë se adoptimi i një qeni ka rritur ndjeshëm nivelin e lëvizjes për shumë persona, me një mesatare prej mbi 7 mijë hapash shtesë në ditë dhe deri në dy orë më shumë aktivitet në javë.
Përveç shëtitjeve, gjithnjë e më shumë njerëz po përfshihen në aktivitete si trekking, power-walking apo edhe canicross, ku qeni bëhet pjesë aktive e stërvitjes.
Ndikimi nuk është vetëm fizik. Rreth 64% e të anketuarve thonë se aktiviteti me qenin i ndihmon të reduktojnë stresin dhe të shkëputen nga rutina, ndërsa një pjesë e mirë e tyre e përdorin këtë kohë edhe si “detoks digjital”.
Ekspertët theksojnë se aktiviteti duhet të përshtatet me ritmin dhe nevojat e kafshës, duke përfshirë faza ngrohjeje dhe pushimi për të shmangur dëmtimet.
Ky trend po shoqërohet edhe me ndryshime në stilin e jetesës dhe konsum, ku gjithnjë e më shumë pronarë investojnë në pajisje specifike për aktivitet në natyrë me kafshët e tyre.
Në një kohë kur mënyrat tradicionale të fitnesit po zëvendësohen gradualisht, “fitness-i me qen” po shfaqet si një alternativë që kombinon shëndetin fizik, mirëqenien mendore dhe socializimin.






