Konferenca e Kryetarëve ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për zhvillimin e një mocioni me debat mbi kërkesat e protestuesve dhe raportin e fundit të Parlamentit Europian për Shqipërinë. Për shkak të mungesës së dakordësisë, kërkesa do t’i kalojë seancës plenare për vendimmarrje.

Përfaqësuesit e opozitës argumentuan se Kuvendi ka detyrimin të diskutojë kërkesat e protestuesve, duke theksuar se protesta është përmendur edhe në raportin e Parlamentit Europian.

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, kundërshtoi kërkesën e opozitës, duke deklaruar se deputetët e PD-së po deformojnë kërkesat e protestuesve dhe nuk mund të flasin në emër të tyre.

“Keni ardhur këtu me kërkesat e protestuesve, madje i keni deformuar ato. Unë nuk ju njoh fare si përfaqësues të protestës. Ju jeni humbësit më të mëdhenj të kësaj proteste. Nëse doni dorëheqjen e qeverisë, sillni mocion mosbesimi, mblidhni firmat dhe propozoni kandidatin tuaj për kryeministër”, deklaroi Balla.

Gazment Bardhi akuzoi mazhorancën se po shmang debatin për raportin e Parlamentit Europian dhe protestën.

“Njëzet deputetë të Parlamentit Europian flasin për protestën në Shqipëri, ndërsa ju nuk thoni asnjë fjalë. Jeni duke përgjuar qytetarët për t’i sulmuar”, u shpreh Bardhi.

Edhe Jorida Tabaku tha se Kuvendi nuk mund të injorojë protestën që prej 25 ditësh zhvillohet para godinës së Kryeministrisë, ndërsa deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, e cilësoi të papranueshme që kërkesat e protestuesve të mos diskutohen në Parlament.

Kërkesa e opozitës tashmë pritet t’i nënshtrohet votimit në seancën plenare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu