
Rreth 60 kursantë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë janë paraqitur me simptoma të dyshuara helmimi ushqimor dhe kanë marrë ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Sipas Policisë së Shtetit, gjatë mbrëmjes së djeshme dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm, 31 kursantë u dërguan në QSUT me simptoma si temperaturë dhe diarre. Pas marrjes së ndihmës mjekësore, ata u rikthyen në Akademinë e Sigurisë në gjendje të mirë shëndetësore.
Mëngjesin e sotëm, edhe 29 kursantë të tjerë u paraqitën në qendrën shëndetësore të Akademisë me simptoma të ngjashme dhe u transportuan për trajtim në Repartin Infektiv të QSUT-së.
Pas ngjarjes është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe nën drejtimin e Prokurorisë po kryen veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive.
Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka marrë mostra të ushqimeve të konsumuara nga kursantët, të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike për të përcaktuar shkakun e kësaj situate.
Gjithashtu, të gjithë kursantëve u janë kryer analizat përkatëse dhe priten rezultatet laboratorike, të cilat do të ndihmojnë në përcaktimin e shkakut të simptomave.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit






