Presidenti i SHBA-së Donald Trump zhvilloi një takim maratonë me liderin kinez Xi Jinping në Pekin, në një samit me peshë globale ku në tryezë ishin Tajvani, lufta tregtare, inteligjenca artificiale dhe konflikti me Iranin.

Pas afro dy orësh bisedime, Trump i cilësoi diskutimet si “të shkëlqyera”, por nuk dha detaje nëse është diskutuar çështja e Tajvanit, një nga temat më të ndjeshme mes dy superfuqive.

Megjithatë, media shtetërore kineze publikoi deklarata të Xi Jinping, i cili paralajmëroi për rrezikun e “konfliktit” nëse SHBA prek vijat e kuqe të Pekinit për Tajvanin.

Kina i rezervoi Trump një pritje madhështore në Pekin, me ceremoni ushtarake, fëmijë që brohorisnin dhe një vizitë simbolike në Tempullin e Qiellit, monumentin historik të shekullit të 15-të.

Analistët e konsiderojnë këtë një sinjal të fortë diplomatik nga Pekini, që synon të tregojë respekt, por edhe forcë përballë Uashingtonit.

Në delegacionin amerikan ndodhen edhe emra të mëdhenj të teknologjisë dhe biznesit, mes tyre Elon Musk, Jensen Huang i Nvidia-s dhe drejtues të kompanive më të mëdha amerikane.

Një nga temat kryesore mbetet lufta tregtare mes dy vendeve. Tarifat mes SHBA-së dhe Kinës kanë kaluar vite tensioni, me kulmin në vitin 2025 kur të dyja palët vendosën tarifa mbi 100% ndaj produkteve të njëra-tjetrës.

Aktualisht tarifat janë ulur përkohësisht, por ekspertët nuk presin marrëveshje të mëdha gjatë këtij samiti. Sipas analistëve, objektivi kryesor është stabilizimi i marrëdhënieve dhe shmangia e një përplasjeje të re ekonomike.

Në fokus të diskutimeve janë edhe kufizimet amerikane ndaj eksporteve të çipave dhe inteligjencës artificiale drejt Kinës, si dhe kontrolli kinez mbi mineralet e rralla, jetike për industrinë teknologjike dhe ushtarake.

Lufta me Iranin dhe siguria energjetike globale po ashtu dominojnë bisedimet. Trump pritet t’i kërkojë Xi Jinping ndikim mbi Teheranin për të shmangur përshkallëzimin e krizës në Lindjen e Mesme dhe për të mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit.

Vizita e Trump po dominojnë edhe rrjetet sociale kineze, ku ceremonia madhështore dhe takimi me Xi janë parë nga miliona njerëz në platformat lokale.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu