
Finalja e Kupës së Botës 2026 do të ketë për herë të parë në histori një spektakël të stilit “Super Bowl”, dhe FIFA ka zgjedhur tre emra gjigantë të muzikës botërore për të ndezur skenën: Madonna, Shakira dhe BTS.
Turneu që organizohet nga SHBA, Kanadaja dhe Meksika do të mbyllet më 19 korrik në New Jersey, ku miliona tifozë pritet të ndjekin jo vetëm finalen, por edhe spektaklin muzikor të pjesës së parë.
Këngëtarja kolumbiane Shakira do të publikojë edhe këngën zyrtare të Botërorit, “Dai Dai”, në bashkëpunim me Burna Boy. Artistja rikthehet kështu në atmosferën e Kupës së Botës, 16 vite pas suksesit global të “Waka Waka” në Botërorin e Afrikës së Jugut 2010.
Ndërkohë, “Mbretëresha e Pop-it” Madonna po përgatitet për publikimin e albumit të saj të 15-të “Confessions II”, ndërsa pak javë më parë surprizoi publikun në festivalin Coachella me një duet me Sabrina Carpenter.
Edhe BTS rikthehen fuqishëm në skenë pas përfundimit të shërbimit ushtarak të anëtarëve të grupit. Banda koreano-jugore, që ka shitur mbi 45 milionë albume, do të performojë gjatë turit të saj botëror me 85 data.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, e ka cilësuar spektaklin si “një moment historik për Kupën e Botës”, ndërsa organizimi artistik i show-t i është besuar Chris Martin të grupit Coldplay.
Sipas FIFA-s, eventi do të shërbejë edhe për mbledhjen e fondeve për programin “FIFA Global Citizen Education Fund”, që synon të sigurojë 100 milionë dollarë për fëmijët në mbarë botën.






