Një investigim i publikuar nga BIRN ngre dyshime serioze për përdorimin e porteve shqiptare nga e ashtuquajtura “flotë hije” ruse – një rrjet anijesh që dyshohet se ndihmon Kremlinin të anashkalojë sanksionet ndërkombëtare dhe të financojë luftën në Ukrainë.

Në qendër të investigimit është cisterna “Grace Felix”, e riemërtuar më pas “Mestral”, e cila mbërriti në Porto Romano në shkurt të vitit 2023 me 21 mijë tonë gazoil.

Dokumentet deklaronin se karburanti vinte nga Azerbajxhani, por autoritetet shqiptare dyshuan se nafta ishte transferuar më parë nga një tjetër anije e nisur nga porti rus Novorossiysk në Detin e Zi.

Sipas hetimeve, transferimi ishte bërë në det të hapur pranë brigjeve greke, një praktikë e njohur “ship-to-ship”, e përdorur shpesh për të fshehur origjinën reale të ngarkesës.

Prokuroria e Durrësit hapi hetim për kontrabandë ndaj kapitenit rus të anijes, por çështja u mbyll më vonë për mungesë provash të mjaftueshme.

Megjithatë, inteligjenca ushtarake ukrainase GUR e ka futur më pas anijen dhe kapitenin e saj në listën e zezë të “flotës hije” ruse.

Sipas autoriteteve ukrainase, anija ka transportuar produkte energjetike ruse edhe gjatë vitit 2025 dhe ka lundruar shpesh me sistemin AIS të fikur, një tjetër praktikë e përdorur për të fshehur itinerarët.

Investigimi zbulon se të paktën një duzinë anijesh të lidhura me këtë rrjet kanë hyrë në porte shqiptare që nga nisja e pushtimit rus në Ukrainë në vitin 2022.

Ekspertët paralajmërojnë se Shqipëria mbetet vulnerabël ndaj kontrabandës së naftës për shkak të vështirësive në gjurmimin e origjinës reale të karburanteve.

Përveç naftës, raporti ngre shqetësime edhe për transportin e grurit të dyshuar si të vjedhur nga territoret e pushtuara ukrainase.

Sipas investigimit, të paktën nëntë anije të identifikuara nga Ukraina si pjesë e këtij rrjeti kanë vizituar portet shqiptare gjatë katër viteve të fundit.

Ekspertët ndërkombëtarë paralajmërojnë se “flota hije” nuk përbën vetëm problem ekonomik dhe politik, por edhe rrezik të madh mjedisor, pasi shumë prej anijeve janë të vjetra dhe operojnë me standarde të dobëta sigurie.

Kompania Cymare Shipmanagement Ltd, e lidhur me anijen “Mestral”, i mohoi kategorikisht akuzat dhe deklaroi se operon në përputhje të plotë me sanksionet ndërkombëtare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu