ODIHR ka publikuar opinionin urgjent për projektligjin mbi financimin e partive politike në Shqipëri, ku vlerëson pozitivisht përpjekjen për të ndërtuar një sistem më transparent, por paralajmëron për boshllëqe serioze që mund të përdoren për shmangie të ligjit.

Sipas dokumentit, një nga shqetësimet kryesore mbeten “donatorët fiktivë” dhe financimet indirekte, ku persona të tretë mund të bëjnë donacione në emër të të tjerëve për të shmangur kufijtë ligjorë.

ODIHR kërkon ndalim të qartë të donacioneve të fshehura dhe publikimin e profesionit, punëdhënësit dhe pronësisë reale të çdo donatori apo kompanie që financon partitë politike.

Opinioni vlerëson pozitivisht disa nga risitë e projektligjit, si:

  • platforma elektronike për raportim financiar në kohë reale;
  • forcimi i kontrollit dhe auditimit financiar;
  • kufizimet për transaksionet cash;
  • zgjerimi i kompetencave të KQZ-së;
  • financimi publik i lidhur me barazinë gjinore dhe pjesëmarrjen e të rinjve.

Megjithatë, ODIHR paralajmëron se efektiviteti i reformës do të varet nga kapaciteti real i KQZ-së për hetim, verifikim dhe monitorim.

Një tjetër pikë e ndjeshme mbeten huatë për partitë politike.

Ekspertët kërkojnë rregulla të qarta për burimet e huave, kushtet e kthimit, faljet e borxheve dhe publikimin e plotë të tyre.

Po ashtu, ODIHR kërkon sanksione më të forta për partitë që marrin donacione nga burime të ndaluara ose shkelin rregullat e transparencës.

Dokumenti kërkon gjithashtu përshpejtimin e reformës për të shmangur konfliktet mes ligjit të ri dhe Kodit Zgjedhor.

Opinioni i ODIHR ishte kërkuar nga Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore në fillim të muajit prill.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu