
Një protestë kundër rrethimit të zonës së mbrojtur të Pishë Poro-Nartës është përshkallëzuar këtë të shtunë në incidente të dhunshme mes banorëve, aktivistëve mjedisorë dhe punonjësve të një kompanie private sigurie.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë një protestues që tërhiqet zvarrë nga punonjës të sigurisë private, ndërsa dëshmitarët pretendojnë se ai u godit fizikisht para se të humbiste ndjenjat.
Sipas deputetit të Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, incidenti ndodhi pasi një protestues tentoi të kapërcente gardhin që rrethon kantierin e projektit turistik.
“Një prej protestuesve tentoi të kapërcente gardhin, u godit nga policia private dhe duket se humbi ndjenjat. Më pas e tërhoqën zvarrë dhe situata degradoi në përplasje”, deklaroi Muçi.
Akuza edhe më të forta ngriti kryeplaku i Zvërnecit, Kostaq Konomi, i cili pretendoi se protestuesi ishte goditur në fyt.
“E qëlluan në fyt dhe humbi ndjenjat. Në spital pështynte gjak”, tha ai.
Pas incidentit, protestuesit dhe punonjësit e sigurisë private shkëmbyen gurë, ndërsa sipas dëshmitarëve në terren është përdorur edhe spraj lotsjellës.
Banorët thanë se në zonë ndodheshin dhjetëra punonjës të sigurisë private, të veshur me uniforma të zeza dhe pjesërisht të maskuar.
Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, akuzoi sigurinë private për sjellje të dhunshme dhe Policinë e Shtetit për tolerim të situatës.
Ndërkohë, Policia e Shtetit deklaroi se një grup protestuesish kishin ndërmarrë veprime të dhunshme për të dëmtuar rrethimin e kantierit. Sipas policisë, protestuesi E.S. kishte hyrë me forcë në zonën e rrethuar dhe ishte shoqëruar nga punonjësit e sigurisë private në ambientet e tyre.
Policia pranoi se gjatë shoqërimit ai kishte pësuar dëmtime trupore dhe njoftoi procedimin penal të dy punonjësve të sigurisë private, si dhe të 15 protestuesve të përfshirë në incident.
Nga ana tjetër, kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, që po zhvillon projektin turistik në zonë, dënoi aktet e dhunës ndaj pronës private dhe hodhi poshtë akuzat për shkelje, duke i cilësuar si përpjekje për dezinformim të opinionit publik.
Protesta e së shtunës është episodi më i fundit i konfliktit mbi zhvillimin e projektit turistik në zonën e mbrojtur të Pishë Poro-Nartës, ku aktivistët dhe banorët kundërshtojnë rrethimin e territorit dhe ndërhyrjet në një nga ekosistemet më të rëndësishme bregdetare të vendit.






