Partia Demokratike ka përmbyllur këtë të shtunë Kuvendin Kombëtar, ndërsa ka përfunduar edhe procesi i votimit për strukturat e reja drejtuese të partisë. Pas mbylljes së votimit, kutitë janë transportuar drejt selisë qendrore, ku pritet të nisë numërimi i votave për anëtarët e Këshillit Kombëtar.

Në fjalën e tij para delegatëve, kryetari i rikonfirmuar i PD-së, Sali Berisha, tha se Kuvendi kishte si synim ripërtëritjen e forcës politike dhe përgatitjen e saj për rikthimin në pushtet.

“Qëllimi i këtij Kuvendi është ripërtëritja e Partisë Demokratike. Vullneti është i lartë, besimi është i lartë dhe zotohem para demokratëve se do të bëjmë gjithçka për të konkretizuar premtimet e këtij Kuvendi”, deklaroi Berisha.

Ai vlerësoi debatet dhe diskutimet e zhvilluara gjatë punimeve, duke theksuar se mesazhi kryesor që përcolli Kuvendi ishte ai i ndryshimit dhe rinovimit të partisë.

Kreu demokrat garantoi gjithashtu transparencë të plotë në procesin e numërimit të votave.

“Kushdo që ka dyshim për votën do të ketë të drejtën të numërojë vetë votat e tij. Ky është maksimumi i transparencës që mund të bëjmë”, tha ai.

Berisha komentoi edhe çështjen e kandidaturave të paraqitura me vonesë për Këshillin Kombëtar, duke ia atribuar përgjegjësinë degëve të partisë që nuk i kishin përcjellë në kohë propozimet.

I pyetur për kritikat brenda PD-së dhe zhvillimet e fundit që lidhen me Ervin Salianjin, Berisha përsëriti se ish-deputeti është “i vetëpërjashtuar” nga Partia Demokratike.

Ndërkohë, ai paralajmëroi se opozita do të rikthehet shumë shpejt në aksion politik.

“Protesta e radhës do të përcaktohet nesër ose pasnesër. Demokratët mezi presin. Kryengritja paqësore është leva e Arkimedit për shqiptarët”, u shpreh Berisha.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu