
Kryeministri Edi Rama ka sulmuar ashpër Partinë Demokratike gjatë një aktiviteti në Lezhë, duke e akuzuar opozitën se në të kaluarën ka thyer embargon ndërkombëtare ndaj regjimit të Sllobodan Millosheviçit, ndërsa publikisht sulmonte Partinë Socialiste.
Rama tha se PS ka qenë e vetmja forcë politike që nuk është larguar asnjëherë nga mbrojtja e interesit kombëtar, duke e cilësuar këtë si dallimin kryesor me kundërshtarët politikë.
“PS nuk ka lëvizur asnjë milimetër nga vija e drejtë e mbrojtjes së interesit kombëtar. Kjo është karakteristikë vetëm e Partisë Socialiste”, deklaroi ai.
Kryeministri kujtoi akuzat që sipas tij i janë bërë socialistëve ndër vite për lidhje me Serbinë, duke pretenduar se realiteti ka treguar të kundërtën.
“Ata e sulmuan brutalisht PS si parti e lidhur me Serbinë dhe shërbëtore e Beogradit, por e vërteta tregoi diçka krejt tjetër. Pikërisht ata që rrihnin gjoksin ditën dhe gjuanin me gurë Partinë Socialiste, natën thyenin embargon e botës demokratike ndaj Millosheviçit dhe furnizonin me naftë makinerinë e tij të spastrimit etnik”, u shpreh Rama.
Shefi i qeverisë theksoi se pas ngjarjeve të vitit 1997, Partia Socialiste u bë një nga mbështetëset më të forta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“PS, që në ditën e parë të marrjes në dorë të frenave të vendit pas katrahurës së vitit 1997, u bë mbështetja më e fortë dhe e përhershme e UÇK-së deri në çlirimin e Kosovës”, tha ai.
Rama nuk kurseu ironitë ndaj opozitës, të cilën e cilësoi si një forcë që vazhdon të sulmojë socialistët pavarësisht humbjeve të njëpasnjëshme zgjedhore.
“Nuk lënë gjë pa thënë ndaj përfaqësuesve të PS-së. Kanë qenë dhe mbeten humbësit kronikë dhe shpirti i shkatërrimit në politikën shqiptare”, deklaroi kryeministri.
Deklaratat e Ramës vijnë në një kohë kur përplasjet politike mes mazhorancës dhe opozitës janë intensifikuar pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.






