
Policia e Shtetit në Itali ka nisur një fushatë të re ndërgjegjësuese kundër braktisjes së kafshëve shtëpiake gjatë sezonit veror, një fenomen që autoritetet e konsiderojnë ende shqetësues.
Spoti sensibilizues po transmetohet në rrjetet sociale zyrtare të policisë, në WhatsApp dhe në platformat online, me synimin për t’u kujtuar qytetarëve se braktisja e një kafshe nuk është vetëm një shkelje e ligjit, por edhe një tradhti ndaj një miku besnik.
View this post on Instagram
Autoritetet italiane theksojnë se një veprim i tillë rrezikon jo vetëm jetën e kafshës, por edhe sigurinë e përdoruesve të rrugës, pasi kafshët e braktisura mund të shkaktojnë aksidente të rënda.
Në spot paraqitet historia e një efektiveje të Policisë së Shtetit, e cila pas përfundimit të turnit të punës përgatitet për pushime, por këtë herë udhëton së bashku me qenin e saj, Joy. Mesazhi i fushatës është i qartë: pushimet nuk duhet të nënkuptojnë braktisjen e kafshëve shtëpiake, por kujdes dhe përgjegjësi ndaj tyre.






