Detaje të reja dalin nga hetimet për vrasjen e 20-vjeçarit francez Miguel Mendes në Ksamil. Moisid Matushaj, punonjës i Policisë së Shtetit, dyshohet se ka qenë i përfshirë në konfliktin që parapriu krimin dhe se ka ndihmuar të dyshuarin Sokrat Vata të largohej nga vendngjarja.

Sipas burimeve të A2 CNN, Matushaj punonte gjithashtu si bodyguard në të njëjtin grup sigurie private, “Orange Elite Security”, ku punonte edhe 29-vjeçari Sokrat Vata.

Matushaj rezulton punonjës i Policisë së Shtetit, me detyrë specialist hetimi në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër.

Vata dyshohet se vrau me thikë Miguel Mendes mëngjesin e së martës në Ksamil, pas një konflikti që, sipas të dhënave të deritanishme, dyshohet se nisi pas ngacmimit të një vajze. Gjatë përplasjes mbeti i plagosur edhe një tjetër shtetas i huaj.

Pas krimit, 29-vjeçari u largua nga Ksamili. Ai u arrestua rreth pesë orë më vonë në aksin Levan-Fier, i fshehur në bagazhin e një automjeti të drejtuar nga një shtetase turke. Në makinë ndodhej edhe një shtetas tjetër turk.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar rolin e secilit person të përfshirë dhe për të dokumentuar plotësisht rrethanat e vrasjes.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu