
Detaje të reja kanë dalë nga plagosja me armë e 35-vjeçarit Brian Syzo në Pogradec. Sipas hetimeve paraprake, konflikti dyshohet të ketë lidhje me përplasje të vjetra mes personave të përfshirë, të cilët njihen nga policia për precedentë kriminalë.
Ngjarja ndodhi kur Brian Syzo ishte ndalur me automjetin e tij dhe po priste një shok. Në atë moment, disa persona iu afruan, mes tyre Nikolla Agolli dhe të tjerë, të cilët fillimisht thyen xhamin e një automjeti tjetër. Situata më pas degradoi në përdorimin e armëve të zjarrit, ku 35-vjeçari mbeti i plagosur rëndë.
Pas atentatit, autorët u larguan nga vendngjarja dhe braktisën automjetin në zonën e Qafë-Thanës. Policia arrestoi Nikolla Agollin dhe David Priftin, ndërsa shpalli në kërkim Edison Agollin dhe Meard Berberin.
I plagosuri u transportua fillimisht në spitalin e Pogradecit dhe më pas me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, për shkak të dëmtimeve të rënda në këmbë.
Sipas të dhënave hetimore, Brian Syzo dhe Meard Berberi kanë qenë bashkëpunëtorë në sulmin ndaj hotelit “Voloreka” në vitin 2020, por më pas marrëdhënia mes tyre u përkeqësua dhe u kthye në konflikt. Hetuesit dyshojnë se kjo përplasje e vjetër mund të ketë qenë motivi i atentatit.
Gjatë hetimeve janë sekuestruar tre automjete dhe gjashtë telefona celularë, ndërsa policia vijon operacionin për kapjen e personave të shpallur në kërkim.





