Protesta qytetare kundër qeverisë u zhvendos këtë të martë përpara Kuvendit, ku protestuesit pritën deputetët në nisje të seancës plenare me thirrje kundër qeverisë dhe opozitës.

Me pankarta dhe sloganet “Ju erdhi fundi”, “Parlamenti i krimit”, “Rama në burg” dhe “Berisha në burg”, qytetarët kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa akuzuan edhe opozitën, duke e cilësuar “opozitë të shitur”.

Një pjesë e deputetëve hynë në Kuvend përpara nisjes së protestës për të shmangur përballjen me protestuesit. Ndërkohë, deputeti socialist Tërmet Peçi u rrethua nga qytetarët, të cilët e ndoqën me thirrjet “Hajdut” dhe “Nuk na përfaqëson”.

Gjatë protestës, organizatorët shpërndanë vezë, të cilat u hodhën në drejtim të automjeteve të deputetëve dhe ministrave që hynin ose dilnin nga Kuvendi. Mes automjeteve të goditura ishte edhe ai i zv.kryeministres Albana Koçiu.

Për të shmangur incidentet, policia ngriti një kordon sigurie dhe ndërhyri disa herë për të larguar protestuesit nga hyrja e Parlamentit. Në mbështetje të forcave të rendit mbërritën edhe efektivë të FNSH-së, ndërsa pati momente tensioni dhe shtyrje mes protestuesve dhe policisë.

Pas tensioneve, policia shoqëroi disa persona.

Mes të shoqëruarve është edhe ish-ushtaraku Dritan Goxhaj. Deri tani nuk ka një njoftim zyrtar nga Policia e Shtetit mbi numrin e të shoqëruarve apo veprat penale për të cilat po kryhen procedurat.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu