Administrata e Presidentit Donald Trump ka vendosur sanksione të gjera ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare në Hagë, duke hapur një përplasje të re diplomatike me aleatët europianë dhe vendet që mbështesin institucionin.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka sulmuar ashpër Gjykatën, duke mbrojtur vendimin e Uashingtonit për të kufizuar veprimtarinë e saj. Masat prekin transaksionet dhe shërbimet që lidhen me GJPN-në dhe synojnë të kufizojnë aksesin e saj në sistemin financiar dhe teknologjik amerikan. Kompanive amerikane u është lënë një periudhë gjashtëmujore për t’u përshtatur me regjimin e ri.

Reagimi nga Haga ka qenë i menjëhershëm. Gjykata Penale Ndërkombëtare i cilësoi masat një sulm ndaj sundimit të ligjit dhe ndaj themeleve të rendit juridik ndërkombëtar, duke u bërë thirrje 125 vendeve anëtare të sigurojnë vazhdimin e funksionimit të saj. Edhe Kombet e Bashkuara dhe një numër qeverish europiane kanë kundërshtuar vendimin amerikan. Gjermania, Holanda, Spanja dhe vende të tjera kanë riafirmuar mbështetjen për Gjykatën, ndërsa aleatë të SHBA-së kanë paralajmëruar për pasojat që sanksionet mund të kenë mbi sistemin ndërkombëtar të drejtësisë

Periudha gjashtëmujore e parashikuar nga Uashingtoni shihet ndërkohë si një dritare për negociata mes SHBA-së dhe partnerëve europianë, në përpjekje për të shmangur një përplasje edhe më të thellë.

SHBA nuk është anëtare e Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe prej vitesh kundërshton juridiksionin e saj ndaj shtetasve amerikanë. Përplasjet janë intensifikuar edhe për shkak të hetimeve dhe urdhërarresteve të Gjykatës që lidhen me konflikte ku janë përfshirë aleatë të Uashingtonit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu