Protestuesit vijuan edhe këtë të diel tubimin kundër qeverisë, duke shënuar ditën e 30-të të protestave në Tiranë.

Tubimi nisi para Kryeministrisë, ndërsa më pas protestuesit marshuan në rrugët e kryeqytetit me flamuj dhe pankarta në duar.

Momenti më i tensionuar u regjistrua pranë Universitetit Politeknik, ku u shfaq një banderolë e madhe me mbishkrimin “Ju erdhi fundi”. Policia ndërhyri dhe e hoqi banderolën, çka solli reagimin e një grupi protestuesish, të cilët u futën në ambientet e universitetit.

Më pas, protestuesit e morën sërish banderolën nga ambientet e Politeknikut dhe e valëvitën në shesh, duke vijuar marshimin.

Në përfundim të protestës, organizatorët njoftuan se të martën, në orën 10:00, do të zhvillojnë një tjetër tubim para Parlamentit, në kohën kur pritet të mbahet seanca plenare.

Studentët dhe protestuesit shpalosën sërish banderolën në godinën e Universitetit Politeknik, duke vijuar protestën e tyre pavarësisht ndërhyrjes së policisë.

Ngjarja ndodhi pas marshimit të përditshëm të protestuesve në rrugët e kryeqytetit, në kuadër të ditës së 30-të të tubimit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu