
Një delegacion prej gjashtë eurodeputetësh vizitoi këtë të diel protestën qytetare në Tiranë, në kuadër të një vizite në Shqipëri për t’u njohur nga afër me zhvillimet politike dhe demokratike në vend.
Delegacioni drejtohej nga eurodeputetja Tineke Strik dhe përfshinte përfaqësues të forcave politike nga Gjermania, Holanda dhe Italia.
Pasi zhvilluan takime me përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktorë politikë të angazhuar në protestë, eurodeputetët morën pjesë edhe në tubimin para Kryeministrisë, ku mbajtën fjalën e tyre para protestuesve.
Migen Qiraxhi, i cili shoqëroi delegacionin, deklaroi se eurodeputetët shfaqën interes për situatën politike në Shqipëri dhe për kërkesat që po parashtrojnë qytetarët në protestë.






