Një ngjarje e rëndë ka tronditur Gjermaninë, ku gjashtë persona humbën jetën pasi një 45-vjeçar hapi zjarr në një qendër për nëna dhe fëmijë në qytetin Stade, pranë Hamburgut.

Sipas policisë gjermane, viktimat janë katër gra dhe dy burra, të gjithë pjesëtarë të stafit të institucionit. Disa persona të tjerë mbetën të plagosur gjatë sulmit.

Autoritetet thanë se sulmuesi ishte përfshirë në një konflikt për kujdestarinë e vajzës së tij tre muajshe dhe kishte një takim të planifikuar në qendër për këtë çështje. Foshnja dhe nëna e saj ndodheshin në zyrë në momentin e sulmit, por nuk pësuan lëndime.

Ministrja e Brendshme e landit të Saksonisë së Poshtme, Daniela Behrens, deklaroi se ngjarja lidhet me motive familjare dhe nuk ka asnjë sfond politik apo ekonomik. Ajo e cilësoi sulmin si “një akt dhune të kryer me gjakftohtësi ekstreme”.

I dyshuari, shtetas turk i lindur në Gjermani dhe banues në Hanover, u largua fillimisht nga vendngjarja me një automjet të drejtuar nga një grua. Pas një operacioni policor, ai u arrestua së bashku me dy persona të tjerë. Policia konfirmoi se nuk ekziston më rrezik për publikun.

Hetimet për zbardhjen e plotë të masakrës vijojnë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu