Prishtina po hyn në një natë të pazakontë para seancës që mund të jetë vendimtare për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Protestuesit e nismës “Jo në emrin tim” kanë vendosur të mos largohen nga sheshi, por të qëndrojnë aty deri në mëngjes, kur nis mobilizimi përpara Kuvendit.

Zhvillimi më i fundit është se në sheshin “Ibrahim Rugova” janë ngritur tendat dhe janë ndezur edhe zjarre, ndërsa protestuesit kanë paralajmëruar se do ta kalojnë aty gjithë natën. Kërkesa e tyre është që deputetët të votojnë ndryshimet e Ligjit për Specialen.

Mobilizimit i janë bashkuar edhe strukturat studentore të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, si dhe disa organizata e këshilla studentore. Thirrja e tyre është që qytetarët të dalin në sheshin “Skënderbeu” nga ora 08:00.

Në protestë është shfaqur edhe Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi. Ai u bëri thirrje të gjitha partive politike të bashkohen për miratimin e projektligjit.

“Ju ftoj të gjitha partitë që të bëhen bashkë edhe ta kalojnë ligjin për Gjykatën Speciale. I falënderoj të gjithë popullin për mbështetje”, deklaroi Endrit Thaçi.

Ndërkohë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka ndryshuar orarin e protestës së së hënës. Tubimi i parashikuar fillimisht në orën 12:00 është zhvendosur në orën 09:00, pikërisht kur nis seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit.

Por zhvillimet nisin edhe më herët. Në orën 08:00 mblidhet Komisioni për Legjislacion për të shqyrtuar projektligjin dhe aspektet juridike të tij, ndërsa një orë më vonë Kuvendi mblidhet në seancë. Pika e parë e rendit të ditës është ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, është shprehur optimist se projektligji do të marrë votat e të gjithë deputetëve. Ai këmbëngul se nisma nuk synon shpërbërjen e Speciales, por vendosjen e mekanizmave që, sipas tij, do ta rikthenin procesin brenda normave juridike dhe ligjore.

“Nuk jemi kundër drejtësisë, jemi kundër padrejtësisë”, deklaroi Hamza.

Çështja e Speciales është ndërthurur ndërkohë edhe me ngërçin për presidentin. Hamza ka përsëritur se PDK kërkon që ligji të miratohet në dy lexime dhe vetëm më pas të bisedohet për zgjedhjen e presidentit. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, 6 tetori është afati i fundit për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Kështu, e hëna nis me një kalendar të ngjeshur: në orën 08:00 mblidhet Komisioni për Legjislacion dhe nis mobilizimi i protestuesve, ndërsa në 09:00 fillon seanca e Kuvendit dhe protesta e OVL-UÇK-së. Jashtë Kuvendit, disa prej protestuesve do ta kenë kaluar gjithë natën në shesh.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu