Punimet për ndërtimin e Muzeut Hebraik në Vlorë po vijojnë si pjesë e projektit për rehabilitimin e Qendrës Historike të qytetit. Projekti realizohet në bashkëpunim me Fondin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, AADF.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, publikoi pamje nga kantieri, duke theksuar se muzeu do t’i kushtohet historisë dhe trashëgimisë së komunitetit hebre në Shqipëri.

Sipas Gonxhes, muzeu do të dokumentojë dhe promovojë historinë e bashkëjetesës mes shqiptarëve dhe hebrenjve, duke u shndërruar njëkohësisht në një destinacion të ri kulturor dhe edukativ në Vlorë.

“Ky muze do t’i kushtohet historisë së komunitetit hebre në Shqipëri dhe do të ruajë e promovojë kujtesën e bashkëjetesës së popullit hebre me popullin shqiptar”, deklaroi ministri.

Krahas Muzeut Hebraik, po planifikohet edhe ndërhyrja në Muzeun Etnografik të Vlorës. Sipas Gonxhes, objekti, i cili ka vlera të veçanta historike, ka nevojë për restaurim të menjëhershëm dhe për një koncept të ri muzeal në përputhje me standardet bashkëkohore.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu