
Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar se kërcënimi nga sulmet hibride ruse ndaj Europës dhe Francës është intensifikuar ndjeshëm gjatë javëve të fundit.
Duke folur pas një takimi në Pallatin Elysee me drejtuesit e partive politike franceze, Macron bëri të ditur se i ka kërkuar qeverisë të hartojë një plan të posaçëm për mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe objekteve më të ndjeshme të industrisë së mbrojtjes dhe teknologjisë.
Masat do të fokusohen veçanërisht te rreziku nga dronët dhe sulmet kibernetike. Presidenti francez deklaroi se edhe Franca është përballur gjatë javëve të fundit me veprime që Parisi ia atribuon Rusisë dhe paralajmëroi se ato nuk do të mbeten pa përgjigje.
“Synimi është të na frikësojnë dhe të dobësojnë mbështetjen tonë për Ukrainën”, tha Macron, duke theksuar se Franca nuk do të tërhiqet nga mbështetja për Kievin.
Presidenti francez iu referua edhe incidenteve të fundit në vende të tjera europiane, mes tyre raste me dronë dhe sulme ndaj infrastrukturës, ndërsa disa vende të krahut lindor të NATO-s kanë paralajmëruar për rritjen e rrezikut nga operacionet hibride.
Termi “luftë hibride” përfshin ndërthurjen e metodave të ndryshme, si sulmet kibernetike, sabotazhi, përdorimi i dronëve, operacionet e dezinformimit dhe ndërhyrjet në proceset politike, pa kaluar domosdoshmërisht në një përplasje të drejtpërdrejtë ushtarake.
Macron njoftoi gjithashtu se Franca synon të kërkojë një takim të vendeve të G7 për situatën energjetike. Mes çështjeve që pritet të diskutohen janë rezervat e gazit dhe mundësia e përdorimit të rezervave strategjike, në një kohë kur konfliktet ndërkombëtare po ushtrojnë presion mbi tregjet e energjisë.






