
Rusia dhe Ukraina kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit tre-ditor të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të shpallur nga Donald Trump.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës deklaroi se vetëm gjatë ditës së sotme janë regjistruar 51 sulme nga forcat ruse.
Ndërkohë, Forcat Ajrore Ukrainase raportuan se Rusia ka lëshuar 44 dronë që nga e premtja në mbrëmje, një nga nivelet më të ulëta të sulmeve ajrore në muajt e fundit.
Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes akuzoi Ukrainën se ka sulmuar pozicionet e ushtrisë ruse me dronë dhe artileri, pavarësisht armëpushimit të shpallur.
Sulmet kanë shkaktuar viktima në të dyja vendet. Autoritetet ukrainase raportuan dy civilë të vrarë dhe tre të plagosur në rajonet Zaporizhia dhe Dnipropetrovsk, pas sulmeve me dronë rusë.
Ndërkohë, në rajonin rus të Belgorodit, pranë kufirit me Ukrainën, tre persona mbetën të plagosur nga një sulm me dron ukrainas, sipas guvernatorit rajonal Vyacheslav Gladkov.
Armëpushimi tre-ditor u njoftua nga Trump pas dy tentativave të dështuara për ndalimin e luftimeve, fillimisht nga Ukraina dhe më pas nga Rusia.
Përveç armëpushimit, palët ranë dakord edhe për një shkëmbim të madh të burgosurish, me 1,000 të burgosur nga secila palë.
“Le të shpresojmë se ky do të jetë fillimi i fundit të një lufte shumë të gjatë”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
Megjithatë, këshilltari i Kremlinit Yuri Ushakov deklaroi se deri tani nuk ka asnjë marrëveshje për zgjatjen e armëpushimit.



