
Obeziteti po kthehet në një problem serioz për kafshët shtëpiake. Mjekja veterinere Eni Zemani paralajmëron se ushqyerja pa kriter me produkte të përpunuara që shiten në markete po rrit ndjeshëm rastet me diabet dhe probleme të mëlçisë tek 4-putroshët.
Sipas saj, shumë pronarë përdorin ushqime komerciale pa një dietë të balancuar, duke rrezikuar shëndetin e kafshëve të tyre. Ajo thekson se obeziteti nuk është vetëm çështje estetike, por një faktor që mund të shkurtojë jetën e kafshës.
Veterinerja e Klinikës 4 Zampe në Tiranë rekomandon që dieta të përshtatet sipas nevojave të çdo kafshe dhe gjithmonë në konsultë me specialistin. Në rastet kur ushqimet e gatshme janë të papërballueshme, ajo sugjeron përgatitjen e ushqimit në shtëpi, por vetëm me këshillën e mjekut veteriner lidhur me përbërësit e shëndetshëm.
Mesazhi është i qartë: kujdesi për ushqimin është thelbësor për një jetë të gjatë dhe të shëndetshme të kafshëve shtëpiake.






