
Mbreti Charles III ka mbajtur një fjalim historik në Kongresin amerikan, duke theksuar se partneriteti mes Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara është “më i rëndësishëm se kurrë” në një kohë pasigurie globale.
Në fjalën e tij, Charles u shpreh se sfidat aktuale janë tepër të mëdha për t’u përballuar nga një vend i vetëm, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit strategjik mes dy aleatëve historikë.
Ai theksoi lidhjet e forta në fushën e mbrojtjes, inteligjencës dhe sigurisë, duke kujtuar bashkëpunimin pas sulmeve të 11 shtatorit dhe mbështetjen për Ukrainën në luftën me Rusinë.
Gjatë vizitës në Washington DC, monarku u prit me ceremoni zyrtare nga presidenti Donald Trump dhe zonja e parë Melania Trump, ndërsa fjalimi në Kongres u shoqërua me disa ovacione në këmbë.
Charles theksoi se aleanca SHBA-Britani është “unike dhe e pathyeshme”, duke shtuar se dy vendet kanë gjetur gjithmonë mënyra për t’u bashkuar, pavarësisht mosmarrëveshjeve historike.
Fjalimi vjen në një moment tensionesh ndërkombëtare, ku Londra dhe Uashingtoni përballen me sfida të përbashkëta në siguri, ekonomi dhe politikë globale.






