
Vendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë për ish-drejtuesit e UÇK-së ka shkaktuar reagime të forta në Kosovë. Politikanë dhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta kanë kundërshtuar ashpër verdiktin, ndërsa një prej frazave që ka nxitur reagimet më të mëdha ishte formulimi i gjykatës se vendimi jepej “në emër të popullit të Kosovës”.
Ish-kryeministri dhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, iu përgjigj pikërisht kësaj formule.
“Jo në emrin tim, jo në emrin e popullit të Kosovës”, deklaroi Haradinaj në një mesazh video, duke e cilësuar vendimin të papranueshëm dhe të padrejtë.
View this post on Instagram
Reagim të fortë pati edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, i cili ndodhej në Hagë. Ai krahasoi dënimet e dhëna nga Specialja me dënimet që, sipas tij, gjykatat serbe kishin dhënë më herët në mungesë.
“15 vjet i dënoi në mungesë Serbia, 25 vjet Haga”, deklaroi Konjufca.
Ai e cilësoi vendimin “të tmerrshëm për Kosovën” dhe “të padrejtë e të pamerituar”, duke argumentuar se ai dëmton, sipas tij, narrativën për luftën çlirimtare dhe vetë shtetin e Kosovës.
“Kjo nuk mbaron me kaq”, ishte mesazhi i Konjufcës pas shpalljes së verdiktit.
Nga Haga reagoi edhe deputeti i PDK-së dhe ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj. Ai tha se, pavarësisht vendimit të gjykatës, ish-drejtuesit e UÇK-së do të mbeten të pafajshëm “në historinë e popullit shqiptar dhe në zemrat e qytetarëve të Kosovës”.
“Kjo çfarë ndodhi sot është një ditë më e zezë që ka pasur ndonjëherë populli shqiptar prej pavarësisë deri në ditët e sotme”, deklaroi Hoxhaj.
Edhe kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, reagoi me tone shumë të ashpra. Ai e cilësoi Specialen “gjykatë të tmerrit” dhe pretendoi se vendimet e saj favorizojnë narrativën e Serbisë dhe Rusisë.
Reagimet erdhën menjëherë pas leximit të vendimit të shkallës së parë në Hagë, ndërsa çështja mund të vijojë në fazën e apelimit.






