Shqipëria dhe Italia kanë hedhur një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit strategjik në fushën e mbrojtjes, me nënshkrimin e një marrëveshjeje për prodhimin e mjeteve detare në vend.

Shoqëria shqiptare Kayo dhe gjiganti italian i industrisë detare Fincantieri kanë firmosur një partneritet që parashikon ndërtimin e anijeve në kantierin e Pashalimanit, jo vetëm për nevojat e Forcave të Armatosura shqiptare, por edhe për eksport në tregjet ndërkombëtare.

Në ceremoninë e nënshkrimit ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi marrëveshjen si një moment kyç për sigurinë dhe ekonominë e vendit. Sipas tij, ky projekt do të krijojë një qendër ekselence italo-shqiptare në industrinë e kantiereve detare, duke sjellë teknologji të avancuar dhe inovacion në Shqipëri.

Projekti parashikon ngritjen e një kantieri të ri në Pashaliman, ku pritet të punësohen rreth 400 persona. Investimi synon të rrisë kapacitetet prodhuese vendase dhe të krijojë mundësi të reja për të rinjtë në sektorë të teknologjisë së lartë.

Autoritetet theksojnë se kjo marrëveshje do të ndikojë drejtpërdrejt në modernizimin e Forcave të Armatosura, ndërsa Shqipëria synon të pozicionohet si një nyje e rëndësishme në industrinë detare në rajon.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu