Ekonomia shqiptare pritet të përballet me një ngadalësim në vitet në vijim, ndërsa ndikimi i krizave globale dhe rritja e çmimeve mund të godasin drejtpërdrejt konsumin e familjeve.

Në raportin e fundit, Banka Botërore thekson se rritja ekonomike e Shqipërisë është mbështetur ndjeshëm nga turizmi, por kjo varësi e bën vendin më të ekspozuar ndaj goditjeve të jashtme. Institucioni nënvizon nevojën urgjente për diversifikimin e ekonomisë.

Sipas raportit, rritja ekonomike pritet të ngadalësohet, ndërsa inflacioni dhe çmimet e larta të energjisë, të ndikuara edhe nga konfliktet në Lindjen e Mesme, do të dobësojnë fuqinë blerëse të qytetarëve gjatë vitit 2026.

Ekspertët paralajmërojnë se edhe pse pagat dhe punësimi mund të rriten, këto nuk do të mjaftojnë për të kompensuar plotësisht rritjen e kostove të jetesës.

Raporti evidenton gjithashtu disa dobësi strukturore të ekonomisë shqiptare, si produktiviteti i ulët, baza e ngushtë e eksporteve dhe problemet në mjedisin e biznesit, përfshirë informalitetin dhe barrierat rregullatore.

Megjithatë, Banka Botërore vlerëson se reformat e lidhura me integrimin në Bashkimin Europian mund të sjellin përmirësime në produktivitet dhe investime, duke ndihmuar në një rritje më të qëndrueshme në afatmesëm.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu