
Një ngjarje tragjike është regjistruar mbrëmjen e së hënës në Ksamil, ku një i ri 22-vjeçar ka humbur jetën pas një aksidenti detar.
Sipas informacionit paraprak të policisë, rreth orës 18:30, shtetasi A.K., banues në Ksamil, duke lundruar me një mjet lundrues tip jet ski, dyshohet se është përplasur me skafin e Policisë Kufitare, i cili ndodhej i stacionuar rreth 400 metra larg bregut dhe po monitoronte hapësirën detare.
Pas përplasjes, 22-vjeçari u nxor menjëherë nga deti nga efektivët e Policisë Kufitare dhe drejtues të tjerë mjetesh lundruese që ndodheshin në zonë. Ai u transportua me urgjencë drejt spitalit, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra.
Menjëherë pas ngjarjes është ngritur një grup i posaçëm hetimor, ndërsa në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe nën drejtimin e Prokurorisë po kryhen veprimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.






