
Eksperti i IT-së dhe një nga organizatorët e protestave qytetare në Tiranë, Gent Progni, është paraqitur këtë të hënë në Policinë e Tiranës për të dhënë shpjegime lidhur me marshimin e zhvilluar një ditë më parë.
Pas daljes nga ambientet e policisë, Progni sqaroi se protesta nuk kishte si qëllim bllokimin e Aeroportit të Rinasit, por marshimi ishte planifikuar të përfundonte në zonën e mbikalimit të Kasharit.
“Dhashë deklarimet e mia për protestën dhe marshimin e djeshëm. Synimi ishte mbikalimi i Kasharit dhe jo aeroporti. Kisha përgatitur mbi 100 flakadanë për të treguar se ne nuk po bëjmë thjesht një shëtitje, por jemi të vendosur të ecim kilometra për t’i treguar Edi Ramës se e kemi seriozisht”, deklaroi ai.
Progni theksoi se protesta vazhdon të mbajë të njëjtin mesazh kundër klasës politike tradicionale, duke përsëritur sloganin që sipas tij është kthyer në moton e lëvizjes.
“Motoja që ka protesta është ‘Rama në burg, Berisha në burg’. Mos u përçani, bashkë jemi më të fortë”, u shpreh ai, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen marshimit të radhës.






