
Një market është grabitur pasditen e kësaj të hëne në lagjen nr. 17 të Durrësit, pranë zonës së njohur si ish-URT.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 15:00, kur një i ri ka hyrë në ambientet e marketit dhe, pasi ka shtyrë me duar punonjësen, ka marrë me dhunë një shumë parash nga kasa. Menjëherë pas grabitjes, ai është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Punonjësit e marketit kanë njoftuar Policinë, ndërsa shërbimet e Komisariatit të Durrësit kanë mbërritur menjëherë në zonë dhe kanë nisur veprimet për identifikimin e autorit.
Nëpërmjet këqyrjes së kamerave të sigurisë dhe veprimeve të tjera hetimore, Policia ka identifikuar si autor të dyshuar shtetasin F. S., rreth 26 vjeç.
Forcat e Policisë po kryejnë kontrolle në lagjen nr. 17 dhe në zona të tjera të qytetit, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e të riut.
Ende nuk është bërë e ditur shuma e parave të marra nga kasa e marketit. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.






