
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka hequr nga qarkullimi mbi 2 mijë automjete të vjetra gjatë katër muajve të parë të vitit 2026, në kuadër të kontrolleve teknike për sigurinë rrugore.
Sipas të dhënave zyrtare të DPSHTRR, nga janari deri në prill janë testuar gjithsej 126 mijë e 719 mjete në të gjithë vendin. Pjesa më e madhe e kontrolleve i përkasin automjeteve 4+1 dhe 8+1 vende, me 112 mijë e 164 mjete të testuara, ose 88.5% e totalit.
Kontrolleve teknike iu nënshtruan gjithashtu:
- 6 mijë e 888 kamionë
- 5 mijë e 494 motomjete
- 1 mijë e 261 autobusë
- 483 rimorkio
- 429 mjete ndërtimi dhe punimi toke
Ndërkohë, 2 mijë e 538 mjete me moshë mesatare 22-vjeçare janë çregjistruar përfundimisht, një rritje me 35.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas DPSHTRR, arsyet kryesore të nxjerrjes jashtë përdorimit lidhen me mungesën e standardeve të sigurisë, amortizimin e lartë, problemet teknike dhe konsumimin e mjeteve.
Institucioni thekson se procesi i kontrollit teknik mbetet një hallkë kyçe për rritjen e sigurisë rrugore, uljen e aksidenteve dhe respektimin e standardeve teknike e mjedisore në qarkullim.



