
Edhe primatët mund të krijojnë marrëdhënie të veçanta me kafshë të specieve të tjera, me sjellje që në disa raste ngjajnë me mënyrën se si njerëzit lidhen me kafshët shtëpiake.
Një studim i publikuar në revistën shkencore “Primates” ka analizuar qindra raste ndërveprimesh mes primatëve dhe kafshëve të tjera. Studiuesit shqyrtuan 303 raste të dokumentuara, 58 fotografi dhe video, si dhe të dhëna të mbledhura përmes një sondazhi me 66 primatologë.
Mes rasteve më interesante është ai i një giboni në kopshtin zoologjik të Shangait, i cili krijoi një marrëdhënie të veçantë me një mi. Në një tjetër rast, një langur u pa duke u kujdesur dhe duke përkëdhelur një ketër.
Në pjesën më të madhe të rasteve, primatët shfaqën kuriozitet, lojë, kujdes dhe sjellje sociale ndaj kafshëve të specieve të tjera. Megjithatë, studiuesit evidentuan edhe ndërveprime agresive, ndonëse këto përbënin një pjesë më të vogël të rasteve të analizuara.
Një tjetër element interesant lidhet me dallimet mes gjinive dhe moshave. Femrat rezultojnë më të prirura për t’u kujdesur për kafshë të tjera, çka studiuesit e lidhin me sjelljet e tyre të zakonshme të kujdesit ndaj të vegjëlve. Primatët e rinj, nga ana tjetër, tregojnë më shumë interes për lojën, ndërsa me rritjen shtohen sjelljet e kujdesit.
Shkencëtarët theksojnë se nuk mund të flitet për “kafshë shtëpiake” në kuptimin që ky term ka për njerëzit. Megjithatë, rezultatet tregojnë se disa primatë janë të aftë të krijojnë lidhje sociale me individë të specieve të tjera.
Sipas studiuesve, këto sjellje mund të japin gjithashtu të dhëna për rrënjët evolutive të marrëdhënies së njeriut me kafshët shtëpiake dhe për mënyrën se si është zhvilluar prirja për t’u kujdesur për specie të tjera.






