Kanë nisur gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël, në komunën e Zubin Potokut në veri të Kosovës, në një lokacion ku autoritetet dyshojnë se mund të ndodhet një varrezë masive me persona të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Zona është vënë nën masa të rrepta sigurie dhe ruhet nga njësitet elitare të Policisë së Kosovës, ndërsa në terren ndodhen edhe gjashtë patrulla të misionit EULEX, që po monitorojnë zhvillimin e operacionit.

Zhvillimi vjen një ditë pasi Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale arrestuan dy persona të dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile. Sipas autoriteteve, hetimet lidhen me ngjarje të vitit 1999 dhe dyshohet se arrestimet kanë lidhje me lokacionin ku po zhvillohen gërmimet.

Kalludra e Vogël lidhet me një nga rastet më të rënda të zhdukjeve me forcë gjatë luftës në Kosovë. Më 19 prill 1999, në zonën e Drethit dhe Kalludrës u rrëmbyen 23 shqiptarë, të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, shumica nga rajoni i Mitrovicës.

Edhe pas më shumë se 27 vitesh, fati i tyre mbetet i pazbardhur. Institucionet e Kosovës kanë deklaruar se dokumentet zyrtare flasin për përfshirjen e Ushtrisë Jugosllave në këtë krim dhe kanë kërkuar vazhdimisht hapjen e arkivave për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Rezultatet e gërmimeve pritet të hedhin dritë mbi një prej çështjeve më të ndjeshme të personave të zhdukur gjatë luftës, ndërsa familjet e viktimave vazhdojnë të kërkojnë drejtësi dhe gjetjen e eshtrave të të afërmve të tyre.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu