Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë dhënë detaje të reja nga operacioni “Dosja 23” në Zubin Potok, ku nëntë persona janë arrestuar nën dyshimin për krime lufte kundër popullsisë civile.

Të arrestuarit, të identifikuar me inicialet D.D., M.R., M.R., R.R., S.D., S.D., V.L., R.R. dhe D.D., janë ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorisë Speciale.

Operacioni është zhvilluar në disa zona të komunës së Zubin Potokut nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, të mbështetur nga njësi të tjera të Policisë së Kosovës.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar nëntë telefona celularë, dy libreza ushtarake, një armë e gjatë, një pushkë gjuetie, municione të kalibrave të ndryshëm dhe katër predha.

Policia ka sekuestruar gjithashtu rreth 23 mijë euro në para të gatshme dhe rreth 60 mijë dinarë serbë.

Operacioni “Dosja 23” lidhet me hetimet për krime të dyshuara të kryera gjatë luftës në Kosovë. Prokuroria Speciale dhe Policia kanë njoftuar se hetimet dhe ndjekja penale e personave të dyshuar për krime lufte do të vazhdojnë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu