
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se dyshimi i parë i institucioneve pas zbulimit të mbetjeve mortore në fshatin Kalludër të Zubin Potokut është se ato mund t’u përkasin 23 intelektualëve nga Mitrovica, të rrëmbyer dhe të zhdukur më 19 prill 1999.
Kurti tha se gjetjet lënë të kuptohet se në zonë mund të ndodhet një varrezë masive, por theksoi se identiteti i viktimave nuk mund të konfirmohet pa përfunduar hetimet dhe ekspertizat e autoriteteve kompetente.
Sipas tij, territori ku po zhvillohen gërmimet nuk ishte hetuar më parë, çka e bën zbulimin veçanërisht të rëndësishëm në përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Në Kalludër të Vogël janë gjetur mbetje mortore dhe veshmbathje, që dyshohet se lidhen me grupin e 23 intelektualëve të zhdukur të Mitrovicës. Autoritetet kanë nisur procedurat për identifikimin e viktimave dhe dokumentimin e plotë të rastit.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar në kuadër të hetimeve për zhdukjen e 23 intelektualëve.






